Palët
(1) Saleonix.com është një subjekt i regjistruar në Agjensinë e Biznesve të Kosovës me emrin e biznesit "Vortarix LLC", është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar me datën 20.10.2025 me seli qendrore në Pejë në rrugën "Koqo Flloku" nr. 1, e identifikuar me Numër Unik Identifikues 812339986 me përfaqësues të autorizuar Rigon Haxhiaj dhe
(2) Klienti është subjekt ekonomik (fizik ose juridik) që kërkon dhe konsumon shërbime financiare në tregun e kapitalit dhe të pagesave nga ana e Saleonix.com.
(Saleonix.com dhe Klienti do të referohen bashkarisht si "Palët" dhe individualisht si një "Palë".)
Termat dhe Kushtet e Përgjithshme
1. OBJEKTI I TERMAVE DHE KUSHTEVE TË PËRGJITHSHME
Këto Kushte, Terma dhe Afate të Përgjithshme (në tekstin e mëtejmë "Kushtet e Përgjithshme") zbatohen për shërbimet e parasë elektronike që i mundësojnë Klientit të kryejë pagesa ose të transferojë fonde në përputhje me veprimtarinë e Saleonix.com.
Gjatë gjithë marrëdhënies kontraktuale midis Saleonix.com dhe Klientit, Klienti është i detyruar të njoftojë në kohë reale dhe të menjëhershme ofruesin e shërbimeve Saleonix.com për çdo ndryshim në statusin e tij individual personal.
Saleonix.com, si një Platformë për pranim të pagesave, ku edhe ofron shërbimet e cekura si më poshtë ("Shërbimet"):
- Aplikacionin Saleonix.com, të qasshëm në të gjitha platformat e telefonave inteligjentë dhe kompjuter me qasje në Web ("Saleonix"); dhe
- Marketplace ku është i qasshëm përmes Saleonix.com, ku Klienti mund të blejë produkte ose shërbime nga bizneset e regjistruara në Agjensinë e Bizneseve të Kosovës ("ARBK").
Klienti në mënyrë të vullnetshme nëse dëshiron të krijojë një Llogari dhe të përdorë Shërbimet e Saleonix.com duhet që së pari të jenë në përputhje që të hyjnë në marrëdhënjë kontraktuale konform Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimve Nr.04/L-077.
Parimisht palët kanë rënë dakord të hyjnë në këtë marrëveshje juridiko-kontraktuale, me të vetmin qëllim që secila nga palët kontraktuese të njohë dhe respektojë tërësinë e të drejtave dhe detyrimeve kundrejtë palës tjetër, e të cilat do të jenë obligative për të dyja palët dhe janë të njohur me termin "Marrëveshja".
2. PËRKUFIZIMET
Përkufizimet dhe interpretimet e cekura si në vazhdim kanë kuptim unifom në të gjitha rastet, përveç nëse përcaktohet ndryshe nisur nga aspekti teorik dhe ai praktik në kontekst të qështjes konkrete.
Termat e cekura si më poshtë do të kenë këtë kuptim:
Person Fizik: është çdo subjekt me zotësi juridike dhe zotësi të veprimit, i cili fiton të drejta dhe merrë detyrime përmes transaksioneve financiare që ndërmerrë përmes veprimeve të tilla si: blerje, shitje, pagesa, transferime parash ose marrëveshje të tjera financiare.
Personi Juridik: është çdo subjekt i krijuar dhe i njohur nga rendi juridik, me zotësi juridike dhe zotësi veprimi të pavarur nga personat fizikë që e përbëjnë, i cili fiton të drejta dhe merr detyrime përmes transaksioneve financiare që kryen në emër të tij, si blerje, shitje, pagesa, transferime parash dhe marrëveshje të tjera me karakter pasuror e financiar.
Bilanci: është pasqyra financiare që paraqet gjendjen e përgjithshme të një subjekti ekonomik në një moment të caktuar, duke përfshirë aktivet, detyrimet dhe kapitalin e vet.
Llogaria: është instrument financiar përmes së cilës regjistrohen, administrohen dhe monitorohen mjetet monetare, transaksionet dhe detyrimet financiare Klientit dhe ajo shërben për realizimin e pagesave, transferimeve dhe veprimeve të tjera në qarkullimin financiar.
Përdoruesi: është klient që përdor këtë platformë apo shërbim financiar për realizimin e veprimeve dhe transaksioneve ekonomike në përputhje me kushtet kontraktuale dhe legjislacionin në fuqi.
Shërbimi: është çdo aktivitet ose funksion me karakter ekonomik e financiar që ofrohet nga Saleonix.com për klientin me qëllim realizimin, administrimin ose lehtësimin e transaksioneve, pagesave dhe veprimeve të tjera financiare.
Legjislacioni Pozitiv: është tërësija e normave juridike që janë në fuqi dhe janë të detyrueshme për zbatim, të cilat janë miratuar nga organet kompetente shtetërore dhe rregullojnë marrëdhëniet shoqërore në një shtet të caktuar e që në rastin konkret i përgjigjen veprimtarisë së Saleonix.com, dhe përfshinë: Aktet Juridike Ndërkombëtare (Konventat, etj) Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Kodet, Ligjet, Aktet nënligjore, etj.
Ligjet: përfshijnë ligjet e tilla si: Ligji Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Ligji Nr. 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jo-Bankare, Ligji Nr. 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, Ligji Nr. 04/L-155 për Sistemin e Pagesave, Ligji Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, dhe Ligji Nr. 06/L-032 për Kontabilitetin, Raportimin Financiar dhe Auditimin.
Banka Qendrore e Kosovës: është institucioni qendror financiar i Republikës së Kosovës me pavarësi funksionale dhe përgjegjësi publike. Ajo është autoriteti që rregullon dhe mbikëqyr sistemin bankar dhe financiar në vend dhe ajo siguron stabilitetin financiar dhe funksionimin e sigurt të sistemit të pagesave.
3. SHPJEGIMI I SHËRBIMEVE
Përshkrimi i Shërbimeve
Shërbimet që ofrohen nga Saleonix.com për klientet në cilësinë e subjektit juridik përfshijnë por nuk kufizohen vetëm në:
- procesimin e pagesave online;
- menaxhimin e abonimeve dhe pagesave periodike;
- faturimin elektronik (Invoice Payment);
- integrime për pagesa përmes API-ve;
- shitje dhe pagesa përmes platformave online ("Store Sell").
Në aspekt ekonomik-financiar, Saleonix funksionon si platformë për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve monetare dhe realizimin e transaksioneve elektronike ndërmjet klientëve dhe bizneseve, në cilësinë e Tregtarit të Regjistruar (Merchant of Record, "MoR").
Cilësia e MoR nënkupton se Saleonix.com vepron si rishitës jo-ekskluziv i produkteve dhe/ose shërbimeve që Klienti ofron ("Produkti"), duke i shitur ato në emër dhe për llogari të vet Blerësve (klientëve përfundimtarë të Klientit), përderisa Klienti mbetet pronar dhe krijues i vetë Produktit. Si rrjedhojë, transaksioni i pagesës ndërmjet Blerësit dhe Saleonix.com është juridikisht i pavarur nga marrëdhënia kontraktuale ndërmjet Klientit dhe Saleonix.com, dhe në deklaratën e kartës bankare ose të llogarisë së Blerësit shfaqet emri "Saleonix" / "Vortarix LLC" si palë shitëse.
Produkti mund të jetë Produkt Digjital (software, licenca, përmbajtje e shkarkueshme, qasje në shërbime online) ose Mall Fizik (send i prekshëm që dërgohet fizikisht te Blerësi). Aktualisht, shitja e Mallrave Fizike përmes "Store Sell" mbështetet vetëm për dërgesa brenda territorit të Republikës së Kosovës; për çdo zgjerim territorial të kësaj forme shitjeje, Saleonix.com do të njoftojë Klientët sipas nenit 13.
Në këtë cilësi, Saleonix.com merr përsipër përgjegjësinë parësore për procesimin e pagesave, lëshimin e faturave dhe deklaratave tatimore ndaj Blerësve, trajtimin e kërkesave për rimbursim, si dhe menaxhimin e kundërshtimeve të pagesave (chargeback), në përputhje me nenet 18 dhe 19 të këtyre Kushteve. Kjo nuk e liron Klientin nga përgjegjësia për cilësinë, ligjshmërinë dhe dorëzimin e vetë Produktit ndaj Blerësit, siç përcaktohet në nenin 15.
Nëse Abonimet (pagesat periodike/rekurente) ofrohen si formë shitjeje për një Produkt të caktuar, ato rregullohen nga neni 19 i këtyre Kushteve. Për aq kohë sa kjo formë shitjeje qëndron e çaktivizuar në platformë sipas vendimit të Saleonix.com, dispozitat e nenit 19 mbeten pezull dhe do të zbatohen automatikisht që nga momenti i riaktivizimit, pa nevojën e një ndryshimi të mëtejshëm të Marrëveshjes.
4. PARAKUSHTET E REGJISTRIMIT NË PLATFORMËN SALEONIX.COM
Qasja në shërbime: ëshë e kushtëzuar nga kërkesat e klientit në njërën anë dhe nga aftësia e platformës Saleonix.com për të ofruar ato shërbime që kërkohen.
Verifikimi: Klienti duhet që të verifikohet dhe të vlerësohet nëse i plotëson kushet bazë për të qenë si i tillë në kuadër të platformës Saleonix.com, ku ç ndyrshim apo tjetërsim i të dhënave bazë )emërtimit, adresës, emailit. Emailadresës, etj) duhet që ti komunikohet në kohë reale ofruesit të shërbimeve.
Aprovimi: pasi të vlerësohen të gjitha elementet tek verifikimi i klientit miratohet hyrja e tij si edhe qasja në kuadër të shërbimeve që i oferon Saleonix.com e që kjo gjë do të vërtetohet përmes emailit të dërguar klientit në kohë reale.
Kushtet teknike dhe të sigurisë: Shërbimet dhe Llogaria e Klientit aksesohen përmes pajisjeve elektronike të lidhura në internet, për të cilat klienti mban përgjegjësi të plotë operacionale dhe të sigurisë teknologjike. Për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së infrastrukturës financiare digjitale, ofruesi rezervon të drejtën e pezullimit ose modifikimit të përkohshëm të shërbimeve.
5. QASJA NE LLOGARINE E SALEONIX.COM
Hyrja në platformën Saleonix.com realizohet përmes sistemit Saleonix, ku përdoruesi identifikohet me të dhënat personale të krijuara gjatë regjistrimit, si email-i ose numri i telefonit së bashku me fjalëkalimin përkatës.
Këto elemente funksionojnë si mekanizëm bazë për verifikimin e identitetit dhe sigurinë e qasjes në llogarinë financiare. Përveç mënyrës klasike të autentifikimit, sistemi mund të përdorë edhe metoda të avancuara biometrike, duke përfshirë njohjen e shenjave të gishtave ose verifikimin përmes fytyrës.
Përdoruesi ka mundësi të ndryshojë fjalëkalimin në çdo kohë, ndërsa sugjerohet që ai të mbahet i fshehtë dhe të përditësohet rregullisht për arsye sigurie.
Për të mbrojtur sistemin nga qasjet e paautorizuara, aplikohen kufizime në numrin e tentativave të gabuara, pas së cilave qasja bllokohet përkohësisht.
6. TËRHEQJA NGA SALEONIX.COM
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, klienti ka të drejtë të tërhiqet nga marrëdhënia kontraktuale brenda 15 ditëve kalendarike pa bartur kosto apo penalitete financiare.
Kjo e drejtë garanton mbrojtjen e interesit ekonomik të klientit dhe ruajtjen e autonomisë së tij në vendimmarrjen financiare. Ushtrimi i tërheqjes realizohet përmes mekanizmave të autorizuar të platformës, pa nevojën e justifikimit juridik ose ekonomik.
Në rast të ndërprerjes së marrëveshjes, ofruesi i shërbimit obligohet të rikthejë çdo mjet monetar të mbetur në bilanc në llogarinë bankare të deklaruar nga klienti. Kjo dispozitë siguron transparencë financiare, likuiditet dhe mbrojtje të fondeve të përdoruesit në qarkullimin elektronik të pagesave.
7. MËNYRA E FUNKSIONIMIT TË LLOGARISË
Klientët mund të depozitojnë fonde në llogarinë e tyre përmes transferit bankar nga llogaria e tyre personale ose duke përdorur kartë bankare në platformën Saleonix.com.
Klienti ka të drejtë të tërheqë shumën e disponueshme në çdo kohë nga bilanci i llogarisë së tij. Tërheqja realizohet përmes transferimit në llogarinë bankare të deklaruar nga vetë Klienti, sipas afateve dhe procedurave standarde bankare. Saleonix.com nuk mban përgjegjësi për vonesa që mund të ndodhin gjatë procesit të transfertës, pasi këto janë në kompetencë të institucioneve bankare.
Gjithashtu, platforma nuk mban përgjegjësi në rast se të dhënat bankare të dhëna nga Klienti janë të pasakta ose i përkasin një personi tjetër. Megjithatë, Saleonix.com do të ndërmarrë hapa të arsyeshëm për të ndihmuar Klientin në rastet kur kërkohet rikuperimi i fondeve për shkak të informacionit të gabuar bankar.
Llogaria e Klientit nuk mund të ketë në asnjë rrethanë bilanc negativ. Përdorimi i fondeve të disponueshme kufizohet rreptësisht në shumën e regjistruar në Bilancin e Llogarisë në çdo moment.
8. HISTORIATI I LLOGARISË
Të gjitha transaksionet e kryera në Llogarinë e Klientit regjistrohen dhe pasqyrohen në sistemin e Tregtarit Vortarix LLC. Klienti ka detyrimin të monitorojë rregullisht aktivitetin e Llogarisë së tij.
Deklarata e Llogarisë, e cila përfshin të gjitha transaksionet e regjistruara, i vihet në dispozicion Klientit të paktën një herë në muaj, pa pagesë, përmes mjeteve të qëndrueshme të komunikimit elektronik të ofruara nga platforma.
9. SIGURIA E LLLOGARISË, KUFIZIMI I QASJES DHE DETYRIMET E PALËVE
Për qëllime të garantimit të integritetit, sigurisë dhe mbrojtjes së Llogarive të Klientëve, Saleonix.com gëzon të drejtën të ndërmarrë masa të menjëhershme parandaluese, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, pezullimin e përkohshëm ose kufizimin e plotë të qasjes në Llogari, në rast se identifikohen ose dyshohen rrethana që mund të lidhen me aktivitet të paautorizuar, rrezik sigurie, manipulim të të dhënave, ose çdo formë tjetër përdorimi të dyshimtë apo mashtrues.
Masa të tilla mund të zbatohen gjithashtu kur ekziston dyshim i arsyeshëm për komprometim të kredencialeve të aksesit, tentativa për mashtrim financiar, ose veprime që mund të cenojnë funksionimin e rregullt të sistemit.
Në këto raste, Klienti do të njoftohet sa më shpejt që të jetë e mundur për vendimin e marrë, përmes komunikimit elektronik, duke përfshirë informacionin mbi arsyet e përgjithshme të masës së aplikuar, për aq sa nuk cenon sigurinë e hetimeve të brendshme ose të procedurave parandaluese.
Nga ana tjetër, Klienti merr përsipër detyrimin të veprojë pa vonesë në rast se konstaton ose ka arsye të besojë se Llogaria e tij është përdorur pa autorizim, se të dhënat e hyrjes janë komprometuar, ose se janë kryer veprime të dyshimta në emër të tij. Në një situatë të tillë, Klienti duhet të njoftojë menjëherë Saleonix.com dhe të kërkojë bllokimin e Llogarisë, duke dhënë informacionin përkatës mbi rrethanat e incidentit.
Saleonix.com nuk mban përgjegjësi për dëme, humbje ose pasoja që mund të lindin si rezultat i mospranimit të një kërkese bllokimi, nëse kjo kërkesë nuk është paraqitur nga Klienti i verifikuar ose nga një përfaqësues i autorizuar ligjërisht.
Në rastet kur dyshohet ose konstatohet vjedhje e identitetit, mashtrim financiar ose keqpërdorim i Llogarisë, Saleonix.com rezervon të drejtën të kërkojë dokumentacion mbështetës, përfshirë raportime zyrtare pranë autoriteteve kompetente ligjzbatuese, si provë për verifikimin dhe trajtimin e mëtejshëm të kërkesës së Klientit.
10. ANKESAT
Çdo ankesë e Klientit lidhur me transaksione të dyshuara si të paautorizuara, të ekzekutuara gabimisht ose në kundërshtim me autorizimin e dhënë, duhet t'i komunikohet Saleonix.com pa vonesë të panevojshme dhe, në çdo rast, brenda një afati maksimal prej 15 ditëve nga data në të cilën transaksioni përkatës është regjistruar dhe bërë i dukshëm në Llogari.
Në rast se, pas verifikimit përkatës, konstatohet se transaksioni është kryer pa autorizimin e Klientit dhe se Klienti nuk ka vepruar në mënyrë të pakujdesshme ose me përgjegjësi, Saleonix.com është i detyruar të procedojë me rimbursimin e menjëhershëm të shumës së prekur dhe të rivendosë Llogarinë në gjendjen financiare që do të kishte ekzistuar në mungesë të transaksionit të tillë.
Nëse, pas kryerjes së rimbursimit, rezulton se transaksioni ka qenë i autorizuar nga Klienti, ose është ekzekutuar në përputhje të plotë me udhëzimet dhe kushtet e zbatueshme, Saleonix.com rezervon të drejtën të anulojë çdo rimbursim të kryer gabimisht dhe të rikuperojë shumën përkatëse nga Llogaria e Klientit, pa nevojë për njoftim të mëtejshëm paraprak, për aq sa lejohet nga kuadri ligjor në fuqi.
Çdo ankesë tjetër që lidhet me transaksionet e pasqyruara në Llogari ose në Deklaratën periodike të Llogarisë duhet të paraqitet me shkrim, përmes postës elektronike ose mjeteve të tjera të qëndrueshme komunikimi, brenda një afati jo më të gjatë se një (1) muaj nga data e regjistrimit të transaksionit përkatës.
11. RREGULLAT THEMELORE TË TRANSAKSIONEVE
Përkufizimi i Transaksionit
Për qëllimet e kësaj Marrëveshjeje, "Transaksion" nënkupton çdo veprim financiar që rezulton në transferim fondesh, i iniciuar nga Klienti ose nga një palë tjetër e autorizuar sipas kushteve të platformës.
Një Transaksion konsiderohet i autorizuar vetëm në rast se Klienti ka dhënë pëlqimin e tij në mënyrë të vlefshme dhe të verifikueshme, në përputhje me procedurat e sigurisë të përcaktuara.
Deklarata Pëlqimore
Palët bien dakord se pëlqimi i Klientit për ekzekutimin e një Transaksioni konsiderohet i dhënë në mënyrë të vlefshme kur Klienti identifikohet përmes kredencialeve të tij të personalizuara të sigurisë gjatë aksesimit të Llogarisë, dhe konfirmon në mënyrë eksplicite detajet e Transaksionit, përfshirë shumën përkatëse, përmes mekanizmit të konfirmimit elektronik të ofruar nga platforma.
Afati i Ekzekutimit
Transaksionet e kryera përmes shërbimeve të Saleonix.com ekzekutohen në kohë reale dhe kreditohen menjëherë në Llogarinë përkatëse të Klientit ose në llogarinë e përfituesit, sipas natyrës së urdhrit të pagesës.
Refuzimi i Ekzekutimit
Saleonix.com rezervon të drejtën të refuzojë ekzekutimin e çdo urdhri pagese, nëse ekzistojnë arsye të justifikuara ligjore, teknike ose të sigurisë. Në raste të tilla, Klienti njoftohet pa vonesë të panevojshme përmes postës elektronike, sa herë që është e mundur.
Përgjegjësia në Rast të Transaksioneve të Paautorizuara
Në rast se ndodhin transaksione të njëpasnjëshme si rezultat i humbjes, vjedhjes ose komprometimit të elementeve të identifikimit (përfshirë adresën e email-it, numrin e telefonit celular dhe fjalëkalimin), Klienti mban përgjegjësi për të gjitha shumat e debituara deri në momentin e bllokimit efektiv të Llogarisë.
Pas momentit të bllokimit të konfirmuar, përgjegjësia e Klientit për transaksionet e mëtejshme të paautorizuara pushon.
Përgjegjësija e Saleonix
Saleonix.com angazhohet të ekzekutojë urdhrat e pagesës me kujdesin, profesionalizmin dhe standardet e një operatori të kujdesshëm financiar, duke mbajtur përgjegjësi vetëm për ekzekutimin teknik të transaksioneve dhe jo për rezultatin ekonomik të tyre.
Në këtë kuadër, Saleonix.com mban përgjegjësi vetëm për dëmet e drejtpërdrejta që burojnë nga një gabim i provuar dhe i atribuueshëm atij. Në veçanti, nuk mban përgjegjësi për vonesa, pasaktësi ose mos-ekzekutim të transaksioneve që rrjedhin nga mjete të pasakta komunikimi të përdorura nga Klienti, ose nga informacion i gabuar, i paplotë apo i pasaktë i dhënë prej tij.
Asnjë penalitet, gjobë kontraktuale apo detyrim ndëshkues nuk mund t'i vendoset Klientit në rast të një gabimi të atribueshëm Saleonix.com, përveç nëse parashikohet ndryshe shprehimisht nga legjislacioni i detyrueshëm në fuqi.
Saleonix.com kryen transferimin (payout) të fondeve te Klienti në baza ditore. Saleonix.com nuk mban fondet e Klientit përtej kohës së nevojshme për përpunimin dhe ekzekutimin e pagesave. Shuma minimale për ekzekutimin e një payout-i është 50.00 (pesëdhjetë) euro. Nëse balanca është më e ulët se kjo shumë, fondet transferohen sapo të arrihet pragu minimal.
Gjithashtu, Saleonix.com mbetet përgjegjës për transmetimin dhe ekzekutimin e saktë të transaksioneve të pagesave, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi.
Përgjegjësitë e Klientit
Në këtë kuadër, ai duhet të sigurojë që: Klienti pranon dhe obligohet që përdorimi i Shërbimeve të bëhet në mënyrë korrekte, të ligjshme dhe të përgjegjshme. Në këtë kuadër, ai duhet të sigurojë që:
- Shërbimet të përdoren vetëm për nevoja personale, duke shmangur çdo përdorim profesional apo komercial pa autorizim të posaçëm;
- Çdo informacion financiar ose shifër e dhënë gjatë kryerjes së transaksioneve të jetë e saktë dhe e verifikuar;
- Çdo gabim në deklarimin ose transmetimin e shumave të transaksioneve bie plotësisht mbi përgjegjësinë e Klientit;
- Të gjitha veprimet gjatë përdorimit të platformës të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me kushtet e përcaktuara në këtë marrëveshje.
12. TARIFAT E PERDORIMIT
Rregullimi i Tarifave dhe Kushtet e Pagesës
Qasja dhe përdorimi i shërbimeve bazë të ofruara përmes platformës Saleonix.com realizohet me pagesë dhe krijon detyrime financiare për Klientin në mënyrë të drejtpërdrejtë për përdorimin standard të funksionaliteteve të saj.
Në rast se Klienti zgjedh të regjistrohet, aktivizojë ose të përdorë platformën Saleonix.com, zbatohen kushte standarde kontraktuale duke përfshirë tarifat, komisionet dhe çdo detyrim tjetër financiar të lidhur me këtë nivel shërbimi. Këto kushte konsiderohen pjesë integrale e marrëveshjes dhe i komunikohen Klientit përpara aktivizimit të shërbimit përkatës.
Çdo transaksion, operacion ose veprim i cili gjeneron kosto, komision, tarifë shërbimi apo çdo formë tjetër ngarkese financiare, i paraqitet Klientit në mënyrë të plotë, të qartë dhe të detajuar përpara dhënies së pëlqimit për ekzekutim. Miratimi i Klientit përbën kusht të domosdoshëm dhe të detyrueshëm për inicimin dhe finalizimin e çdo transaksioni me efekt financiar.
Saleonix.com rezervon të drejtën të ndryshojë, rishikojë ose përditësojë strukturën e tarifave në çdo kohë, në përputhje me zhvillimet operacionale, rregullimet teknike, kushtet e tregut ose kërkesat rregullatore.
Çdo ndryshim i tillë do të bëhet në përputhje me procedurat e përcaktuara në Nenin 14 të këtyre Kushteve dhe Afateve, duke garantuar njoftim paraprak dhe transparencë ndaj Klientit.
Tarifat e aplikueshme bëhen të disponueshme për Klientin në momentin e konfirmimit të transaksionit dhe konsiderohen pjesë përbërëse e informacionit para-kontraktual.
Pas ekzekutimit të transaksionit, përllogaritja dhe debiti i shumave përkatëse realizohen automatikisht përmes sistemit të autorizuar të pagesave të platformës, duke siguruar saktësi, gjurmueshmëri dhe integritet të plotë të procesit financiar.
13. NDRYSHIMI I MARËVESHJES BAZË
Platforma Saleonix.com operon mbi një model dinamik shërbimi, i cili nënkupton se kuadri kontraktual, funksionalitetet teknike dhe struktura e tarifimit mund të evoluojnë në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje me zhvillimet teknologjike, kërkesat e tregut dhe nevojat operacionale të sistemit.
Çdo modifikim që ndikon në elementet thelbësore të marrëdhënies kontraktuale do t'i komunikohet Klientit në mënyrë të dokumentuar dhe të verifikueshme, përmes kanaleve të sigurta të komunikimit, me një afat njoftimi paraprak 30 ditëve përpara hyrjes në fuqi të ndryshimit.
Gjatë këtij afati, Klienti ruan të drejtën të vlerësojë ndryshimet dhe të shprehë mospranimin e tyre. Mungesa e reagimit brenda periudhës së njoftuar interpretohet si pranim i heshtur i kushteve të reja. Në rast mosdakordësie, Klienti mund të ndërpresë marrëdhënien kontraktuale në mënyrë të menjëhershme dhe pa asnjë detyrim penal apo tarifë daljeje.
Zhvillimet që lidhen me përmirësimin e performancës, optimizimin e ndërfaqes, zgjerimin e kapaciteteve teknologjike ose shtimin e moduleve të reja shërbimi konsiderohen pjesë e natyrshme e ciklit të zhvillimit të platformës dhe nuk trajtohen si ndryshime thelbësore të marrëveshjes ekzistuese.
Në raste kur një funksionalitet ekzistues ndërpritet, kufizohet ose zëvendësohet për arsye teknike, ligjore ose strategjike, Saleonix.com do të sigurojë njoftim të arsyeshëm për Klientin, duke marrë parasysh ndikimin praktik të ndryshimit dhe rëndësinë e shërbimit të prekur.
14. JETËGJATËSIA DHE NDËRPRERJA E MARRËVESHJES
Marrëdhënia kontraktuale ndërmjet Palëve konsiderohet e hapur për një kohë të pacaktuar dhe vazhdon të prodhojë efekte juridike deri në momentin e ndërprerjes së saj sipas kushteve të përcaktuara më poshtë.
Zgjidhja e kontratës mund të iniciohet nga secila Palë në mënyrë të njëanshme, duke respektuar një afat njoftimi paraprak 30 ditor.
Ky afat shërben si periudhë e domosdoshme për stabilizimin e marrëdhënieve të hapura, përfundimin e transaksioneve në proces dhe mbylljen e çdo detyrimi të papërmbushur.
Përjashtimisht, Saleonix.com gëzon të drejtën e ndërprerjes së menjëhershme të marrëdhënies kontraktuale, pa detyrimin e respektimit të afatit të njoftimit, në rastet kur konstatohet shkelje e rëndë e kushteve kontraktuale nga Klienti, veçanërisht ato që lidhen me detyrimet themelore të përdorimit të platformës, ose kur vazhdimi i marrëdhënies bëhet juridikisht, teknikisht apo operativisht i pamundur.
Pas zgjidhjes së kontratës, aktivizohet procedura e mbylljes financiare të llogarisë së Klientit. Çdo shumë e mbetur në bilanc i nënshtrohet fillimisht verifikimit dhe kompensimit të të gjitha detyrimeve të papaguara ndaj Saleonix.com, përfshirë tarifat, komisionet dhe çdo detyrim tjetër të lindur nga përdorimi i Shërbimeve.
Vetëm pas përfundimit të këtij procesi, gjendja neto e mbetur transferohet në llogarinë bankare të deklaruar dhe të verifikuar nga Klienti, në përputhje me procedurat e sigurisë, kontrollit financiar dhe standardet e gjurmueshmërisë së transaksioneve, duke garantuar përmbyllje të rregullt dhe të dokumentuar të marrëdhënies kontraktuale.
15. DETYRIMET E KLIENTIT NDAJ PRODUKTIT DHE BLERËSVE
Klienti deklaron dhe garanton se është pronar i Produktit ose se është i autorizuar ligjërisht të veprojë në emër të pronarit të tij, se Produkti është i lirë nga të metat dhe i përshtatshëm për qëllimin për të cilin ofrohet, dhe se shitja e tij nuk shkel të drejta të palëve të treta, përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale.
Klienti obligohet të ofrojë informacion të saktë, të plotë dhe të përditësuar për çdo Produkt (përshkrim, çmim, kategori, kushte shitjeje), të mbajë faqen ose dyqanin e tij ("Store") në përputhje me Politikën e Përdorimit të Pranueshëm të Saleonix.com dhe legjislacionin në fuqi, si dhe të ofrojë mbështetje pas-shitjeje teknike dhe operacionale për Blerësit në lidhje me vetë Produktin (p.sh. dorëzimi, funksionimi, garancia e prodhuesit), pavarësisht se mbështetja e nivelit të parë për pagesa, fatura dhe rimbursime ofrohet nga Saleonix.com sipas nenit 18.
Klienti pranon që Saleonix.com, në cilësinë e MoR, mund të kërkojë ndryshime në përmbajtjen e faqes/dyqanit të Klientit për të garantuar që statusi i Saleonix.com si shitës i regjistruar është i qartë për Blerësit, si dhe të pezullojë ose refuzojë shitjen e një Produkti të caktuar nëse ai bie jashtë Politikës së Përdorimit të Pranueshëm, paraqet rrezik të lartë mashtrimi ose kundërshtimesh pagese (chargeback), ose bie ndesh me kërkesat e skemave të kartave bankare apo të legjislacionit në fuqi.
Kur Produkti është Mall Fizik, Klienti mban përgjegjësi të plotë operacionale për paketimin, dërgesën dhe dorëzimin e tij te Blerësi brenda afatit të komunikuar në checkout ose, nëse ky afat nuk specifikohet, brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e Transaksionit, si dhe për përputhshmërinë e Mallit Fizik me kërkesat e sigurisë së produktit, etiketimit dhe standardeve të tjera të zbatueshme sipas legjislacionit në fuqi. Rreziku i humbjes ose dëmtimit të Mallit Fizik mbetet mbi Klientin deri në momentin kur Blerësi, ose një person i tretë i caktuar prej tij (përveç transportuesit), e merr fizikisht në dorëzim.
Saleonix.com nuk ofron vetë shërbime transporti, magazinimi apo logjistike; roli i tij si MoR kufizohet në procesimin e pagesës, faturimin dhe trajtimin e kërkesave për rimbursim sipas nenit 18, ndërsa përgjegjësia për dërgesën fizike të Mallit mbetet tërësisht e Klientit. Klienti pranon dhe merr përsipër të trajtojë kthimet e Mallrave Fizike sipas afateve dhe kushteve të përcaktuara në Termat e Blerësit, përfshirë të drejtën e tërheqjes prej katërmbëdhjetë (14) ditësh të Konsumatorit e llogaritur nga dita e dorëzimit fizik.
16. PRONËSIA INTELEKTUALE
Klienti mbetet titullar i të gjitha të drejtave të pronësisë intelektuale mbi Produktin, markën e tij tregtare dhe çdo material shoqërues, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-205 për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta dhe Ligjin Nr. 08/L-075 për Markat Tregtare. Asgjë në këto Kushte nuk transferon apo kufizon këto të drejta në favor të Saleonix.com, përveç licencës së kufizuar të përcaktuar më poshtë.
Klienti i akordon Saleonix.com një licencë jo-ekskluzive, të pakalueshme dhe të kufizuar në kohëzgjatjen e kësaj Marrëveshjeje, për të përdorur emrin, logon dhe materialet e Produktit vetëm në masën e nevojshme për realizimin e Shërbimeve (faqja e pagesës, faturat, komunikimet me Blerësit dhe raportimet). Saleonix.com nuk do të modifikojë Produktin, nuk do të krijojë vepra të prejardhura prej tij dhe nuk do ta përdorë atë përtej qëllimit të kësaj Marrëveshjeje.
Në mënyrë të ndërsjellë, Saleonix.com akordon Klientit një licencë jo-ekskluzive dhe të pakalueshme për të përdorur emrin dhe logon e Saleonix.com vetëm për qëllime të integrimit të pagesave (p.sh. shenjat "Powered by Saleonix" ose referencat e nevojshme për transparencë ndaj Blerësit), në përputhje me udhëzimet e markës që Saleonix.com mund t'i vërë në dispozicion kohë pas kohe.
17. KONFIDENCIALITETI DHE MBROJTJA E TË DHËNAVE
Secila Palë obligohet të mbajë konfidenciale çdo informacion jo-publik të marrë nga Pala tjetër në kuadër të kësaj Marrëveshjeje (financiar, teknik, tregtar ose operacional) ("Informacion Konfidencial") dhe ta përdorë atë vetëm për qëllimin e ekzekutimit të kësaj Marrëveshjeje. Ky detyrim mbetet në fuqi edhe pas përfundimit të marrëdhënies kontraktuale.
Detyrimi i konfidencialitetit nuk zbatohet për informacionin që bëhet publik pa shkelje të kësaj Marrëveshjeje, që Pala e ka pasur më parë në mënyrë të ligjshme, ose që kërkohet të zbulohet me urdhër të autoritetit publik apo gjyqësor kompetent, në kuadër dhe në masën e kërkuar nga procedura përkatëse.
Përpunimi i të dhënave personale të Klientit dhe të Blerësve nga Saleonix.com kryhet në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me Politikën e Privatësisë të publikuar në faqen /privacy, ku secila Palë vepron si kontrollues i pavarur për të dhënat që përpunon në kuadër të veprimtarisë së vet.
18. RIMBURSIMET DHE KUNDËRSHTIMET E PAGESAVE (CHARGEBACK)
Meqenëse Saleonix.com është shitësi i regjistruar (MoR) i Produktit ndaj Blerësit, Klienti nuk lëshon fatura dhe nuk kërkon pagesë drejtpërdrejt nga Blerësi. Nëse Klienti bie dakord me Blerësin për një rimbursim, ai nuk e kryen këtë pagesë vetë, por njofton Saleonix.com, i cili kryen rimbursimin përkatës nëpërmjet mjeteve të pagesës të përdorura nga Blerësi.
Saleonix.com ka të drejtë të anulojë një transaksion dhe të rimbursojë Blerësin plotësisht nëse: (i) Blerësi kërkon rimbursim brenda afatit të përcaktuar në Termat e Blerësit; (ii) ekziston dyshim i arsyeshëm për gabim ose mashtrim në transaksion; (iii) transaksioni rrezikon të bëhet objekt i një kundërshtimi pagese (chargeback); ose (iv) kjo kërkohet nga legjislacioni në fuqi, ofruesi i mjetit të pagesës ose rregullat e skemës së kartave.
Nëse Saleonix.com kryen një rimbursim ose përballet me një kundërshtim pagese (chargeback) lidhur me shitjen e Produktit të Klientit, Saleonix.com ka të drejtë t'i ngarkojë Klientit: (i) shumën e plotë të rimbursuar ose të kundërshtuar; (ii) çdo tarifë ose kosto e shkaktuar nga procesimi i rimbursimit ose chargeback-ut; dhe (iii) një tarifë administrative shtesë për çdo rast chargeback, siç publikohet në faqen e Çmimeve. Këto shuma mund të kompensohen (set-off) drejtpërdrejt nga bilanci i Klientit në llogarinë e tij në Saleonix.com, pa kërkuar pëlqim paraprak shtesë, në përputhje me nenin 11.
Nëse Saleonix.com konstaton, në vlerësimin e vet të arsyeshëm, se një apo më shumë Produkte të Klientit kanë një normë të lartë rimbursimesh apo kundërshtimesh pagese, Saleonix.com mund të pezullojë shitjen e Produktit përkatës, të kërkojë masa shtesë sigurie në checkout, ose të përfundojë Marrëveshjen sipas nenit 14.
19. ABONIMET DHE PAGESAT PERIODIKE
Kur kjo formë shitjeje është aktive në platformë, Klienti mund të ofrojë Produkte me pagesë periodike/rekurente ('Abonime'), për të cilat Blerësi autorizon Saleonix.com të tarifojë mjetin e tij të pagesës në mënyrë të përsëritur, deri në momentin e anulimit nga Blerësi, sipas kushteve të përcaktuara në Termat e Blerësit.
Saleonix.com njofton Blerësin për rinovimet dhe, sipas rastit, për çdo rritje çmimi përpara se ajo të zbatohet, në përputhje me legjislacionin e mbrojtjes së konsumatorit në fuqi. Anulimi i një Abonimi nga Blerësi nuk krijon detyrim rimbursimi për periudhën e papërdorur, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht në Termat e Blerësit ose në legjislacionin e detyrueshëm.
Për aq kohë sa funksionaliteti i Abonimeve qëndron i çaktivizuar tërësisht ose pjesërisht nga Saleonix.com (për arsye operacionale, teknike ose rregullatore), asnjë detyrim i ri sipas këtij neni nuk krijohet për Klientin apo Blerësit, dhe dispozitat e këtij neni do të zbatohen automatikisht ndaj çdo Abonimi të ri që lejohet nga momenti i riaktivizimit.
20. KUFIZIMI I PËRGJEGJËSISË
Në masën maksimale të lejuar nga legjislacioni në fuqi, Saleonix.com nuk mban përgjegjësi për dëme indirekte, të veçanta, ndëshkuese ose pasuese (përfshirë humbje fitimi, humbje klientësh ose humbje mundësie biznesi) që rrjedhin nga kjo Marrëveshje, pavarësisht nëse Saleonix.com ishte njoftuar paraprakisht për mundësinë e ndodhjes së tyre.
Përgjegjësia e përgjithshme e Saleonix.com ndaj Klientit, për çdo shkak, nuk i tejkalon tarifat neto të mbajtura nga Saleonix.com mbi transaksionet e Klientit gjatë gjashtë (6) muajve që i paraprijnë ngjarjes që shkakton përgjegjësinë. Asnjë dispozitë e këtij neni nuk kufizon apo përjashton përgjegjësinë për mashtrim, keqinterpretim mashtrues, ose dëme që sipas legjislacionit të detyrueshëm në fuqi nuk mund të kufizohen kontraktualisht.
21. LIGJI I ZBATUESHËM DHE ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE
Kjo Marrëveshje rregullohet dhe interpretohet në përputhje me legjislacionin e Republikës së Kosovës, përfshirë Ligjin Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe ligjet e tjera të referuara në nenin 2 të këtyre Kushteve.
Çdo mosmarrëveshje që lind nga ose në lidhje me këtë Marrëveshje do të përpiqet të zgjidhet fillimisht në mënyrë miqësore ndërmjet Palëve. Nëse zgjidhja miqësore nuk arrihet brenda tridhjetë (30) ditëve nga fillimi i shkëmbimit të ankesave me shkrim, mosmarrëveshja i nënshtrohet juridiksionit ekskluziv të gjykatës kompetente në Pejë, Republika e Kosovës, përveç rasteve kur legjislacioni i detyrueshëm parashikon ndryshe.
